Energjia
Sektori i energjisë është ndër më të rregulluarit në Kosovë dhe përfshin një ndërthurje të legjislacionit për energjinë, mbrojtjen e konsumatorit, mjedisin dhe investimet publike e private. Aktivitetet në këtë fushë kërkojnë pajtueshmëri me kërkesat e Autoritetit Rregullator për Energji (ZRrE), si dhe respektim të kornizës ligjore që rregullon prodhimin, transmetimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike, energji termike dhe burime të ripërtëritshme.
Arts Law Firm ofron mbështetje ligjore për subjektet që veprojnë në sektorin energjetik, duke përfshirë përgatitjen dhe ndjekjen e aplikimeve për licencë, përfaqësimin në procedurat para ZRrE dhe institucioneve tjera, analizën e kontratave të furnizimit dhe bashkëpunimeve ndërshtetërore, si dhe këshillimin për projekte të investimeve në burime të ripërtëritshme dhe efikasitet energjetik.
Në kuadër të përfaqësimit ligjor, trajtojmë gjithashtu çështje që ndërlidhen me përgjegjësinë e operatorëve energjetikë publikë apo privatë, në rastet kur veprimtaria e tyre shkakton dëme ndaj konsumatorëve apo bizneseve, duke përfshirë rastet ndaj KEK, KEDS apo operatorëve të tjerë, në përputhje me të drejtën civile dhe rregullat e mbrojtjes së konsumatorit.
Përvojat në këtë fushë përfshijnë bashkëpunime me investitorë vendas dhe të huaj, kompani ndërtimi të infrastrukturës energjetike, si dhe përfaqësimin në procedura rregullatore dhe administrative për llogari të operatorëve dhe konsumatorëve të mëdhenj.
Arts Law Firm, përmes njohurive juridike dhe teknike në fushën e energjisë, ofron qasje të strukturuar dhe të përputhur me standardet ligjore dhe rregullative në Kosovë, duke mbështetur
klientët në përmbushjen e kërkesave të licencimit, zhvillimit të projekteve dhe mbrojtjes së të drejtave në marrëdhënie me autoritetet dhe operatorët energjetikë.